Drita Rukaj është një grua që me përkushtimin, guximin dhe veprimin e saj dëshmon se suksesi ndërtohet mbi vlera të forta dhe angazhim të vazhdueshëm.
Si sportiste e taekwondos, ajo ka mësuar se disiplina, këmbëngulja dhe respekti janë çelësi i çdo fitoreje, jo vetëm në sport, por edhe në jetë. Këto vlera i ka shndërruar në udhërrëfyes edhe në angazhimin e saj shoqëror.
Si aktiviste, Drita beson se barazia gjinore nuk është vetëm një ideal, por një përgjegjësi e përbashkët. Rrugëtimi i saj në taekwondo është dëshmi se gratë mund të thyejnë stereotipet dhe barrierat në fusha që shpesh janë konsideruar si dominuese për burrat. Me vendosmërinë dhe përkushtimin e saj, ajo ka treguar se talenti, puna dhe karakteri nuk njohin dallim gjinor.
Krahas angazhimit në sport, Drita kontribuon vazhdimisht në shërbim të komunitetit, duke promovuar fuqizimin e grave, rritjen e dukshmërisë së tyre në shoqëri dhe pjesëmarrjen aktive në jetën publike e në proceset e vendimmarrjes në nivel lokal.
Për të, ndryshimi fillon kur çdo grua gjen guximin të besojë në vetvete dhe të mos lejojë që paragjykimet t’i kufizojnë rrugën drejt suksesit. Me shembullin e saj, ajo dëshmon se gratë mund të jenë njëkohësisht të suksesshme në profesion, aktive në komunitet dhe të përkushtuara ndaj familjes, duke ndërtuar një ekuilibër mes jetës private dhe asaj publike.
Si bashkëshorte dhe nënë, ajo e sheh familjen si burimin e forcës dhe të motivimit për të vazhduar të kontribuojë për komunitetin.
Për Dritën, fuqizimi i grave nuk nënkupton vetëm krijimin e mundësive të barabarta, por edhe frymëzimin që çdo grua të besojë në aftësitë e saj, të ngrejë zërin dhe të bëhet pjesë aktive e ndryshimeve pozitive.
Historia e saj është dëshmi se një shoqëri më e drejtë ndërtohet atëherë kur gratë janë të dukshme, të dëgjuara dhe të përfaqësuara në vendet ku merren vendimet që ndikojnë në jetën e të gjithëve.
Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.
/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /












