Foto: MAP / MJU
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka deklaruar se për më shumë se tre muaj Kryeqyteti i Podgoricës dhe drejtuesit e tij nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për procesin e ndarjes së kufirit me Komunën e Tuzit, pavarësisht vendimit të Qeverisë së Malit të Zi që u është dorëzuar.
Dukaj tha se para dy muajsh e gjysmë i kishte shkruar edhe kryetarit të Podgoricës, Sasha Mujoviq, për të emëruar një komision që do të punonte në këtë proces, i cili, sipas tij, është i rëndësishëm për Podgoricën, Tuzin, si dhe për zhvillimin dhe perspektivat evropiane të të dyja komunave.
“Komuna e Tuzit ka deleguar anëtarët e komisionit, por pasiviteti i Podgoricës jo vetëm që e ka ndalur këtë proces, por njëkohësisht po e shtyn dhe po e bllokon edhe procesin e ndarjes së kufirit me Komunën e Zetës. Nuk është mirë që administrata aktuale e Podgoricës të vazhdojë praktikën e pushteteve të mëparshme. Qytetarëve u kemi premtuar diçka tjetër”, ka shkruar Dukaj në platformën X.









