GJELAJ: E MBËSHTES “EUROMODELIN”, POR ZBATIMI I TIJ NUK DUHET TË RREZIKOJË FUNKSIONIMIN E KOMUNAVE

Foto: TV Boin

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, tha se e mbështet “Euromodelin”, por ndryshimet në Ligjin për financimin e vetëqeverisjes lokale nuk duhet të çojnë në uljen e të hyrave të komunave.

Sipas tij, rritja e pagave dhe detyrimeve që sjell modeli duhet të shoqërohet me të hyra më të mëdha, në mënyrë që komunat të mund të vazhdojnë ofrimin e shërbimeve publike dhe realizimin e investimeve kapitale.

Gjelaj tha se ende nuk mund të përcaktohet me saktësi ndikimi financiar i “Euromodelit” në buxhetin e Tuzit, pasi nevojiten përllogaritje të detajuara nga Ministria e Financave.

Ai theksoi se, sipas analizës së publikuar të propozimit, pjesa e tatimit të transferuar për Tuzin, Zetën dhe komunat e rajonit verior do të ndryshonte nga 89 në 66.75 për qind, gjë që, sipas tij, kërkon një shqyrtim të kujdesshëm.

“Mbështes ‘Euromodelin’, por ndryshimet në Ligjin për financimin e vetëqeverisjes lokale nuk duhet të sjellin uljen e të hyrave të komunave. Përkundrazi, rritja e detyrimeve duhet të shoqërohet me të hyra më të mëdha, në mënyrë që komunat të mund t’i financojnë ato, të ofrojnë shërbimet publike dhe të realizojnë investimet e planifikuara”, tha Gjelaj.

SHARE