GORÇEVIQ NË BERLIN: MALI I ZI SYNON ANËTARËSIMIN E PLOTË NË BE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, deklaroi gjatë vizitës në Gjermani se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë që ai sjell.

Ajo theksoi se rezultatet e arritura në reformat dhe negociatat e anëtarësimit dëshmojnë përparimin e vendit në rrugën evropiane.

Gorçeviq bëri të ditur se dhjetë pozicione negociuese tashmë janë dorëzuar në Komisionin Evropian, ndërsa pjesa e mbetur pritet të dorëzohet deri në fund të javës.

Sipas saj, objektivi është përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe anëtarësimi i Malit të Zi në BE gjatë vitit 2028.

Gjatë takimeve me zyrtarë gjermanë, ajo vlerësoi si veçanërisht të rëndësishme mbështetjen e Berlinit në fazën përfundimtare të procesit, ndërsa theksoi se Mali i Zi synon të ndërtojë institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe sundim të qëndrueshëm të ligjit edhe pas anëtarësimit.

Gorçeviq theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Malit të Zi do të sjellë mundësi të reja investimi, veçanërisht në energjetikë, infrastrukturë dhe turizëm, dhe do të kontribuojë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

SHARE