Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të gatshme të ndihmojnë modernizimin e ushtrisë malazeze. Ky ishte mesazhi nga takimi i Ministrave të Mbrojtjes të Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Predrag Boshkoviq dhe Xhejm Matis në Zagreb.
Te dy zyrtarët po marrin pjesë në Takimin e Ministrave të Posaçëm, në kuadër të presidencës malazeze të “SHBA-Karta e Adriatikut A-5”, që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Kjo është, thotë Boshkoviq, një tregues që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kushtojnë vëmendje të madhe këtij rajonit. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor po ecën në mënyrë të pashmangshme në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Ne kemi ngritur disa çështje që janë me interes për Malin e Zi, duke pasur parasysh ka kemi ende disa sfida kur është fjala për modernizimin e forcave të armatosura, zgjidhjen e disa prej çështjeve të mbetura nga kohët e Jugosllavisë së Madhe, deklaroi Boshkoviq.
Sekretari amerikan Matis, vlerësoi përpjekjet që Mali i Zi, si anëtari më i ri i NATO-s, të investojë në pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet ndërkombëtare dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë të japin mbështetjen e nevojshme për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Malit të Zi në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve mbrojtëse ekzistuese.
“Matis gjithashtu vuri në dukje faktin se Mali i Zi ka zbatuar me sukses reformat gjithëpërfshirëse që rezultuan me sukses në kuadër të integrimit euroatlantik dhe shprehu kënaqësinë që Mali i Zi sot është një shembull kryesor i reformave të zbatuara me sukses, si dhe një faktor i caktuar i sigurisë së Ballkanit Perëndimor”, kumtuan nga Ministria e Mbrojtjes së MZ.
Boshkoviq u takua gjithashtu edhe me ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.
“Me këtë rast, ministrat shprehën kënaqësinë e tyre me bashkëpunimin e deritashëm në fushën e mbrojtjes dhe shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimin aktual të sektorit të mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin e ardhshëm dypalësh mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes”.
Boshkoviq dhe Berisha theksuan se pjesëmarrja e përbashkët në iniciativat dhe formatet rajonale është një nga mjetet kyçe për vendosjen e dialogut dhe arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor “, thuhet në kumtesë.