Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër falënderimi presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, pas vizitës bilaterale në Mal të Zi dhe pjesëmarrjes në Samitin BE – Ballkani Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit.
Macron e falënderoi Millatoviqin për mikpritjen e ngrohtë që iu rezervua atij dhe delegacionit francez, duke theksuar se gjatë vizitës vlerësoi veçanërisht dialogun e hapur dhe mundësitë e shumta për shkëmbim mendimesh.
“Ju falënderoj sinqerisht për gjithë vëmendjen që na është kushtuar, si dhe për gatishmërinë tuaj të jashtëzakonshme gjatë gjithë vizitës. Kam vlerësuar shumë mundësitë e shumta që patëm për shkëmbim mendimesh dhe dialog”, thuhet në letrën e presidentit francez.
Presidenti francez vlerësoi se gjatë vizitës janë hedhur themele të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Malit të Zi dhe Francës.
“Më gëzon veçanërisht fakti që kemi vendosur themele shumë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë dypalësh”, theksoi Macron.
Ai shtoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.










