ANKETA E WEBALKANS: QYTETARËT E MALIT TË ZI I BESOJNË MË SË SHUMTI BE-së, MË SË PAKU SISTEMIT GJYQËSOR

Foto: Ilustrim

Shumica e qytetarëve të Malit të Zi mbështesin integrimin evropian dhe kanë qëndrim pozitiv ndaj Bashkimi Evropian, tregon Anketa Vjetore 2026 e programit WeBalkans.

Sipas rezultateve, 68 për qind e qytetarëve do të votonin për anëtarësimin e vendit në BE, ndërsa 77 për qind besojnë se anëtarësimi do të sillte më shumë përfitime sesa mangësi.

Po ashtu, 62 për qind e të anketuarve mendojnë se Mali i Zi mund të bëhet pjesë e BE-së brenda pesë viteve të ardhshme.

Qytetarët vlerësojnë se përfitimet më të mëdha nga anëtarësimi në BE do të ishin lëvizja pa viza, mundësitë më të mëdha për punësim, tregtia e lirë dhe përmirësimi i standardit jetësor.

Ata gjithashtu konsiderojnë se pengesat kryesore në rrugën drejt anëtarësimit janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e vullnetit politik për zbatimin e reformave.

Anketa tregon se BE-ja gëzon nivelin më të lartë të besimit ndër institucionet ndërkombëtare, me 73 për qind të qytetarëve që shprehin besim ndaj saj. Në anën tjetër, besimi në institucionet vendore mbetet dukshëm më i ulët.

Besimin më të madh ndër institucionet e vendit e gëzon Ushtria e Malit të Zi, ndërsa më të ulëtin sistemi gjyqësor dhe partitë politike.

Hulumtimi evidenton gjithashtu se shumica e qytetarëve janë të ekspozuar ndaj dezinformatave, të cilat i konsiderojnë një sfidë serioze për shoqërinë.

Televizioni mbetet burimi kryesor i informimit, ndërsa rrjetet sociale dhe mediat online vazhdojnë të kenë ndikim të madh në formimin e opinionit publik.

SHARE