LIROHET DODË IVANAJ, FORUMI SHQIPTAR: KËRKOJMË SQARIM TË PLOTË TË RASTIT

Foto: Facebook

Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe verifikimit të rrethanave që lidhen me rastin, organet kompetente kanë liruar Dodë Ivanaj.

Sipas informacioneve paraprake, ndalimi i tij dyshohet se është kryer mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga një qytetar në Mal të Zi, që lidhet me pretendime për praninë e tij në territorin e vendit më 21 maj. Megjithatë, familjarët e tij kanë deklaruar se ai nuk ka qenë në Mal të Zi në atë datë, duke ngritur dyshime mbi bazën faktike të kallëzimit dhe mënyrën e nisjes së procedurës.

Në vijim, Forumi Shqiptar ka reaguar ashpër duke dënuar ndalimin dhe duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë të rastit.

Siç është konfirmuar, ndaj Dodë Ivanajt nuk është vepruar sipas detyrës zyrtare të Policisë, por mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga një qytetar i Malit të Zi. Për këtë arsye, sipas Forumi Shqiptar, është e domosdoshme që të verifikohet plotësisht baza ligjore dhe besueshmëria e këtij kallëzimi.

Nga informacionet e bëra publike nga familjarët e tij, Ivanaj më 21 maj nuk ka qenë në territorin e Malit të Zi. Për këtë arsye, shtrohet pyetja se si ka nisur një procedurë e tillë dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi në rast se pretendimet e paraqitura në kallëzim rezultojnë të pavërteta.

Veçanërisht shqetësues, sipas deklaratës së Forumit Shqiptar, mbetet fakti se Dodë Ivanaj është një qytetar i respektuar dhe pjesëtar i diasporës shqiptare, i cili, siç theksohet, do t’i ishte përgjigjur çdo thirrjeje të organeve kompetente për të dhënë sqarime lidhur me rastin.

Për këtë arsye, Forumi Shqiptar ngre pikëpyetje mbi domosdoshmërinë e ndalimit të tij.

Në reagim, Forumi Shqiptar deklaroi se ngjarje të tilla dëmtojnë besimin e shqiptarëve dhe diasporës ndaj institucioneve shtetërore dhe, sipas tyre, tregojnë se standardet e dyfishta ndaj shqiptarëve “ende nuk i përkasin së kaluarës”.

Rasti, sipas Forumit, përbën gjithashtu një goditje për proceset integruese evropiane. Gjithashtu, u ngritën shqetësime edhe për mungesën e reagimit institucional ndaj, siç u theksua, thirrjeve dhe fyerjeve me bazë kombëtare në stadiume dhe ngjarje të tjera publike.

“A nuk vlejnë fyerjet ndaj shqiptarëve, apo nuk konsiderohen mjaftueshëm serioze për të nxitur reagimin e organeve kompetente?”, thuhet në deklaratë.

Forumi Shqiptar theksoi se nuk kërkon privilegje për askënd, por vetëm drejtësi, trajtim të barabartë dhe zbatim të ligjit mbi bazë faktesh.

Ata kërkuan zbardhjen urgjente të rastit, duke paralajmëruar se në mungesë të veprimeve brenda një afati të shkurtër do të ketë reagim “të fuqishëm dhe të vendosur”.

“Diasporën tonë nuk do ta ndalin veprime të tilla. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë dinjitetin, të drejtat dhe interesat e njerëzve tanë, kudo që ata jetojnë”, përfundon deklarata e Forumit Shqiptar.

SHARE