SHIMUN: PO NDËRTOJMË THEMELET PËR NJË SISTEM SHËNDETËSOR TË QËNDRUESHËM DHE CILËSOR

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Shëndetësisë i Malit të Zi, Vojisllav Shimun, deklaroi gjatë seancës së posaçme parlamentare se sistemi shëndetësor malazez është sot më i aftë për t’iu përgjigjur sfidave sesa në vitet e kaluara.

Ai pranoi se problemet nuk janë eliminuar plotësisht, por theksoi se Ministria po punon vazhdimisht për zgjidhjen e tyre përmes reformave sistematike dhe jo masave afatshkurtra.

Sipas Shimunit, gjatë dy viteve e gjysmë të fundit janë miratuar ligje moderne, janë përmirësuar infrastruktura dhe pajisjet shëndetësore, ndërsa po punohet edhe në standardizimin e cilësisë së shërbimeve mjekësore përmes hartimit të qindra protokolleve dhe udhëzuesve profesionalë.

Ai theksoi se qëllimi është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe cilësor që do t’u shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme. Ministri nënvizoi se një nga prioritetet kryesore është forcimi i kuadrit mjekësor.

Ai bëri të ditur se që nga fundi i vitit 2023 numri i mjekëve në sistemin publik është rritur me 153, ndërsa janë shpallur numra rekord të specializimeve dhe nënspecializimeve. Gjithashtu, janë rritur kuotat e pranimit në Fakultetin e Mjekësisë dhe mbështetja financiare për mjekët e rinj që specializohen jashtë vendit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua projekteve infrastrukturore, veçanërisht ndërtimit të Qendrës Klinike Universitare në Podgoricë.

Shimun e cilësoi këtë si një nga projektet më të rëndësishme në historinë e sistemit shëndetësor të Malit të Zi.

Kompleksi i ri pritet të ketë 779 shtretër dhe kapacitete moderne, përfshirë edhe një spital të ri pediatrik.

Ndërtimi pritet të nisë në vitin 2028 dhe të përfundojë në vitin 2031. Megjithatë, deputetët e opozitës kritikuan gjendjen aktuale në shëndetësi, duke përmendur ankesat e shumta të qytetarëve për pritje të gjata, mungesë të personelit dhe kushte jo të kënaqshme në disa institucione.

U ngritën shqetësime edhe për situatën në Institutin e Onkologjisë, ku pacientët shpesh presin me orë të tëra për të marrë terapinë.

Shimun tha se janë bërë përparime të rëndësishme, por pranoi se nevojiten investime dhe kohë shtesë për të përmirësuar plotësisht gjendjen.

SHARE