Pasi u bë aksionar i Twitter-it, Elon Musk shtroi një pyetje për përdoruesit

Elon Musk ka pyetur përdoruesit e Twitter nëse duan që një buton editimi (ndryshimi) të shtohet në platformë – disa orë pasi mori 9.2 për qind të aksioneve pasive në kompani, duke e bërë atë aksionerin më të madh.

“A dëshironi një buton modifikimi”, shtroi pyetjen Musk në një postim në Twitter të hënën vonë.

Shefi ekzekutiv i Twitter, Parag Agrawal, i bëri retweet Musk-ut dhe iu bëri thirrje njerëzve të “votojnë me kujdes” pasi pasojat “do të jenë të rëndësishme”.

Musk është një përdorues i rregullt i Twitterit me më shumë se 80 milionë ndjekës, megjithëse kohët e fundit ai tha se po mendon seriozisht për ndërtimin e një platforme të re të medieve sociale.

Në fund të muajit të kaluar, Musk pyeti ndjekësit e tij nëse ata mendonin se platforma mediale sociale inkurajon fjalën e lirë.

“Fjala e lirë është thelbësore për një demokraci funksionale. A besoni se Twitter i përmbahet me rigorozitet këtij parimi?”, kishte pyetur Musk.

“A nevojitet një platformë e re?”, pati theksuar ai. /Telegrafi/

SHARE