MILLATOVIQ: VIZITA NË KAZAKISTAN HAP KAPITULL TË RI NË MARRËDHËNIET MES DY VENDEVE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë vizitës zyrtare në Astana, deklaroi se kjo vizitë shënon një fazë të re në marrëdhëniet mes Kazakistanit dhe Malit të Zi.

Ai theksoi se bëhet fjalë për vizitën e parë zyrtare të një presidenti malazez në këtë vend dhe se ajo ka rëndësi të veçantë për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit ekonomik, turistik dhe institucional.

Millatoviq u takua me presidentin kazak Kasim-Jomart Tokajev dhe vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve, duke përmendur edhe 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ai theksoi pjesëmarrjen e një delegacioni të madh biznesi nga Mali i Zi dhe mbajtjen e një forumi ekonomik në Astana, si hap për rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe promovimin e Malit të Zi në tregun e Azisë Qendrore.

U nënshkruan edhe memorandume bashkëpunimi mes institucioneve dhe organizatave të të dy vendeve në fushat e turizmit, mediave dhe ekonomisë.

Presidenti nënvizoi rëndësinë e lidhjeve ajrore dhe rritjen e numrit të turistëve kazakë në Mal të Zi.

Po ashtu, ai paralajmëroi marrëveshje të reja mes qeverive në fusha si ekonomia, drejtësia dhe transformimi digjital.

Në fund, Millatoviq theksoi nevojën për forcim të pranisë diplomatike të Malit të Zi në Azinë Qendrore, duke sugjeruar hapjen e një përfaqësie në Kazakistan si hap strategjik për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe.

SHARE