KOMISIONI EVROPIAN KONFIRMON PROGRESIN E MALIT TË ZI NË SIGURI DHE SUNDIMIN E LIGJIT

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Komisioni Evropian, përmes një dokument joformal për Kapitullin 24 – Drejtësia, liria dhe siguria, ka vlerësuar se Mali i Zi po shënon progres të vazhdueshëm në fushat e sundimit të ligjit, sigurisë së qytetarëve dhe integrimeve evropiane.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq dhe drejtorit të Policisë Llazar Shqepanoviq, raporti vlerëson rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin e migracionit, mbrojtjen e kufijve dhe bashkëpunimin policor ndërkombëtar.

Ministri Sharanoviq tha se këto vlerësime tregojnë forcimin e institucioneve dhe stabilitetin e sektorit të sigurisë, duke theksuar se janë krijuar kushte për reforma më të qëndrueshme dhe menaxhim më efikas të policisë.

Ai shtoi se BE-ja ka njohur gjithashtu harmonizimin e legjislacionit të Malit të Zi me standardet evropiane në fushat e terrorizmit, migracionit, azilit dhe menaxhimit të kufijve.

Po ashtu u veçua përparimi në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe përmirësimi sipas rekomandimeve të MONEYVAL.

Në fushën e kufijve dhe migracionit, u theksua bashkëpunimi me Frontex, modernizimi i infrastrukturës dhe përgatitjet për standardet e Shengenit.

Drejtori i Policisë tha se janë arritur rezultate konkrete në luftën kundër drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar, përfshirë operacione ndërkombëtare në bashkëpunim me Europol, ku janë arrestuar disa të dyshuar.

Në fund, autoritetet theksuan se Mali i Zi do të vazhdojë reformat me synim forcimin e institucioneve, sigurinë e kufijve dhe përmbushjen e standardeve evropiane në rrugën drejt integrimit në BE.

SHARE