Foto: predsjednik.me
Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka paralajmëruar se heqja e kontributeve për sigurimin pensional ngre pikëpyetje për ruajtjen e pensioneve në të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Nga Kabineti theksojnë se heqja e kontributeve shëndetësore dhe ajo e kontributeve pensionale janë dy ndryshime të ndryshme, me pasoja të ndryshme ekonomike dhe institucionale.
Sipas tyre, ndryshe nga sigurimi shëndetësor, ku të gjithë qytetarët kanë të drejtë për shërbime të barabarta pavarësisht shumës së kontributeve të paguara, sistemi pensional bazohet në lidhjen ndërmjet punës, pagës dhe të drejtës për pension.
Kështu, personat që gjatë karrierës kanë pasur paga më të larta dhe kanë paguar më shumë kontribute, përfitojnë edhe pensione më të larta.
Kabineti vlerëson se heqja e plotë e kontributeve pensionale nuk nënkupton domosdoshmërisht shkëputjen e kësaj lidhjeje, por kërkon përgjigje se si do të ruhen të drejtat pensionale në afat të gjatë.
Gjithashtu, theksohet se para një ndryshimi të tillë duhet të sqarohet se si do të sigurohet financimi i pensioneve dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve jo vetëm për vitet e ardhshme, por edhe për dekadat në vijim.
Sipas Kabinetit, ulja ose heqja e kontributeve mund të sjellë përfitime të menjëhershme për qytetarët përmes rritjes së pagave neto, por duhet të merren parasysh edhe detyrimet dhe kostot afatgjata.
Në fund, Kabineti i presidentit kërkon nga Qeveria që të prezantojë qartë një model të qëndrueshëm, i cili do të ruajë lidhjen ndërmjet punës dhe të drejtave pensionale, duke garantuar njëkohësisht stabilitetin e financave publike.










