NIK GJELOSHAJ ZGJIDHET KRYETAR I FORUMIT SHQIPTAR

Screenshot

Një kapitull i ri në organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi është hapur sot në Tuz, ku Kuvendi i Bashkimit të Forumit Shqiptar ka zyrtarizuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare në një organizatë të vetme. Nik Gjeloshaj është zgjedhur kryetar i Forumit Shqiptar, duke marrë drejtimin e një strukture që synon të unifikojë faktorin politik shqiptar dhe të forcojë përfaqësimin e tij në skenën politike të vendit.

Në krye të strukturës së re, krahas Gjeloshajt, do të jenë Ivan Ivanaj, i zgjedhur nënkryetar i parë, dhe Artan Çobi, nënkryetar i dytë. Ndërsa Ferhat Dinosha është zgjedhur kryetar nderi i Forumit Shqiptar.

Kuvendi miratoi programin dhe statutin, si dhe zgjodhi organet drejtuese të organizatës, duke i dhënë formë institucionale një procesi që synon të kapërcejë ndarjet e deritanishme politike dhe të ndërtojë një platformë të përbashkët për shqiptarët në Mal të Zi.

Në fjalimin e tij, kryetari i sapozgjedhur Nik Gjeloshaj theksoi se bashkimi nuk është meritë e një individi, por rezultat i vullnetit të përbashkët, bashkëpunimit dhe besimit të ndërtuar ndërmjet subjekteve politike.

“Qëllimi ynë nuk ishte vetëm bashkimi i subjekteve politike, por bashkimi i popullit tonë rreth një ideje të përbashkët. Dëshmuam se mund të arrijmë rezultate kur veprojmë së bashku. Asnjë individ nuk është mbi idenë e Forumit Shqiptar”, u shpreh Gjeloshaj.

Ajo që e karakterizon këtë organizim është shtrirja e tij përtej kufijve të një komune apo të një treve të vetme. Forumi Shqiptar synon të përfaqësojë shqiptarët nga Malësia, Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Rozhaja, Plava dhe Gucia, duke përfshirë edhe diasporën në një vizion të përbashkët politik.

Arritjet e deritanishme, veçanërisht realizimi i statusit të komunës së pavarur të Tuzit, përfaqësimi institucional dhe projektet zhvillimore, u cilësuan si bazë për vazhdimin e angazhimit politik të Forumit Shqiptar. Në fokus të veprimtarisë së tij do të mbeten avancimi i të drejtave të shqiptarëve, decentralizimi, zhvillimi i trevave shqiptare dhe perspektiva evropiane e Malit të Zi.

SHARE