NË MAL TË ZI 22 PROJEKTE AKTIVE NË SHËNDETËSI, ME VLERË RRETH 120 MILIONË EURO

Foto: Printscreen

Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi aktualisht po ndjek realizimin e 22 projekteve, me vlerë të përgjithshme rreth 120 milionë euro.

Ndërkohë, për buxhetin kapital të vitit 2027 janë propozuar edhe pesë projekte të reja, me vlerë 4,32 milionë euro, bëri të ditur drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë për IPA, projekte të tjera dhe infrastrukturë në shëndetësi, Amra Pepiq.

Ajo theksoi se është lidhur edhe kontrata për investimin në ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare në Podgoricë, me vlerë 313 milionë euro.

Pepiq prezantoi rezultatet kryesore dhe përparimet e arritura nga kjo drejtori gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se gjatë vitit 2026 Ministria e Shëndetësisë ka punuar intensivisht në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe modernizimin e institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin.

Ndër investimet më të rëndësishme ajo përmendi ndërtimin e Spitalit të ri të Përgjithshëm në Plevla, rikonstruktimin e Klinikës së Hematologjisë me Qendrën për Diagnostikimin PET dhe ndërtimin e Shtëpisë së Shëndetit në lagjen City kvart, me vlerë të përgjithshme rreth 83 milionë euro.

Gjithashtu, kanë nisur aktivitetet për realizimin e investimit prej 27 milionë eurosh, të dedikuara për blerjen e rreth 340 pajisjeve moderne mjekësore për institucionet shëndetësore në mbarë vendin.

Ndërkohë, janë realizuar edhe shumë punime për përshtatjen dhe rikonstruktimin e institucioneve shëndetësore, ndërsa po vazhdojnë aktivitetet për përmirësimin e kapaciteteve hapësinore dhe infrastrukturore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, nga shtëpitë e shëndetit deri te spitalet e përgjithshme dhe Qendra Klinike e Malit të Zi.

Duke folur për projektet evropiane dhe ndërkombëtare, Pepiq tha se përmes programit EU4Health po realizohen katër aksione të përbashkëta dhe projekti MOWGATE, me vlerë rreth 445 mijë euro për Malin e Zi.

Përmes programit IPA2 dhe bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike, po mbështetet gjithashtu përmirësimi i sistemeve informative, shërbimeve të transplantimit dhe transfuzionit, si dhe diagnostikimi modern i kancerit të gjirit.

SHARE