Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar sot ndryshimet në Ligjin për Buxhetin e këtij viti, me të cilat parashihet financim shtesë për shëndetësinë, sistemin pensional, arsimin dhe institucionet e tjera buxhetore.
Për miratimin e ndryshimeve votuan 44 deputetë, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, kishte shpjeguar më herët në Kuvend se rebalanci i buxhetit bëhet me qëllim të përmbushjes së rregullt të detyrimeve financiare, në përputhje me Ligjin për Buxhetin dhe Përgjegjësinë Fiskale.
Sipas tij, të hyrat në vlerë prej 3,89 miliardë eurosh do të shpërndahen në buxhetin rrjedhës prej 1,65 miliardë eurosh, rezervat prej 34,7 milionë eurosh, buxhetin e fondeve shtetërore prej 1,45 miliardë eurosh, buxhetin kapital prej 303,8 milionë eurosh dhe transaksionet për financimin e shpenzimeve prej 441 milionë eurosh.
Krahasuar me Ligjin fillestar për Buxhetin e këtij viti, buxheti rrjedhës është rritur për 39,2 milionë euro, buxheti i fondeve shtetërore për 52,8 milionë euro, ndërsa transaksionet e financimit për 9,85 milionë euro.
Vukoviq bëri të ditur gjithashtu se parashikimi për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për këtë vit është rebalancuar nga 3,1 në 4 për qind, ndërsa vlera nominale e tij vlerësohet në 8,9 miliardë euro.










