SHESHI “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” NË TUZ PËRFITON INTERNET FALAS

Foto: TV Boin

Sheshi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Tuz është pajisur me internet publik falas përmes iniciativës WiFi4WB, e cila synon të përmirësojë qasjen e qytetarëve dhe vizitorëve në internet dhe shërbimet digjitale.

Kjo nismë mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, zbatohet nga organizata GIZ në kuadër të projektit EU4Digital, ndërsa kompania One është partneri telekomunikues për realizimin e saj në Mal të Zi.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, e ka vlerësuar këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të komunës dhe krijimit të hapësirave publike më të qasshme për të gjithë.

Ai theksoi se interneti publik falas do t’u mundësojë qytetarëve dhe vizitorëve qasje më të lehtë në përmbajtjet digjitale, si dhe mundësi më të mira për informim, mësim dhe punë.

Nga kompania One kanë bërë të ditur se përmes kësaj iniciative synohet që lidhja cilësore me internetin të jetë e disponueshme për sa më shumë qytetarë, duke kontribuar në zhvillimin digjital të komuniteteve lokale.

Në kuadër të projektit WiFi4WB, internet publik falas është vendosur edhe në Sheshin Anovi në Komunën e Zetës.

Kjo iniciativë synon që hapësirat publike në të dyja komunat të bëhen më të qasshme dhe të përshtatura me nevojat e jetës moderne.

SHARE