Foto: Ilustrim
Shoqata e Kompanive të Naftës në Mal të Zi ka paralajmëruar se procesi i markimit të karburanteve, zbatimi i plotë i të cilit kërkohet nga Ministria e Energjisë dhe Minierave nga sot, 23 nëntor, paraqet rrezik për sigurinë dhe jetën e punonjësve në pikat kufitare, shoferëve dhe udhëtarëve.
Shoqata kërkon shtyrjen e zbatimit deri në krijimin e kushteve të nevojshme teknike dhe të sigurisë.
Sipas saj, ky proces mund të shkaktojë edhe kosto shtesë prej rreth 17 milionë eurosh.
Sipas kompanive të naftës, markimi bëhet duke hapur cisternat e mbushura në pikat kufitare dhe duke shtuar një substancë të veçantë në karburant, proces gjatë të cilit çlirohen avuj të ndezshëm që mund të shkaktojnë zjarr ose shpërthime. Shoqata pretendon se gjatë testimeve në pikën kufitare Debeli Brijeg, cisternat janë hapur pranë objekteve të Policisë dhe Doganave, si dhe korsive ku qarkullojnë udhëtarët.
Ajo thekson se pikat aktuale kufitare nuk kanë kapacitetet e nevojshme teknike për realizimin e sigurt të këtij procesi dhe se mungon edhe pëlqimi i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në kuadër të Ministrisë së Brendshme.
Nga shoqata rikujtojnë se Ministria e Energjisë e kishte shtyrë zbatimin e markimit dy javë më parë për shkak të çështjeve të pazgjidhura teknike dhe ligjore, ndërsa pretendojnë se që atëherë nuk ka pasur ndryshime.
Shoqata gjithashtu vlerëson se modeli i paraparë nuk është në përputhje me praktikën e Bashkimit Evropian, pasi në BE markohen vetëm disa lloje të karburanteve që përfitojnë nga lirimet ose normat më të ulëta të akcizës, ndërsa në Mal të Zi parashihet markimi i të gjitha llojeve të karburanteve.
Sipas vlerësimeve të tyre, kostoja shtesë prej 17 milionë eurosh mund të rëndojë buxhetin e shtetit ose qytetarët.
Kompanitë thonë se kanë paralajmëruar me shkrim Ministrinë e Energjisë, Ministrinë e Brendshme dhe Administratën Doganore për rreziqet e mundshme, duke kërkuar inspektim në terren, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.
Në fund, ato kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të sqarojnë mbi bazën e cilave vlerësime është miratuar ky proces dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast të ndonjë incidenti.










