Nxënësit francezë, pas kthimit nga pushimet e vjeshtës, kanë bllokuar disa shkolla të mesme të hënën, duke rinisur protestat pavarësisht masave të paralajmëruara nga qeveria gjatë periudhës së pushimeve.
Sipas Ministrisë së Arsimit, rreth 1 për qind e 3.700 shkollave të mesme në Francë, të njohura si lice, janë bllokuar nga protestuesit.
Protestat vijnë pas demonstratave të organizuara për tri fundjava radhazi, ku qindra mijëra qytetarë, përfshirë nxënës, dolën në rrugë për të kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës, kushtet në shkolla dhe pabarazinë.
Qeveria ka paralajmëruar disa masa, përfshirë ndryshimin e sistemit të pranimit në universitete, angazhimin e më shumë mësuesve dhe kufizimin e numrit të nxënësve nëpër klasa.
Megjithatë, nxënësit thonë se këto masa nuk janë të mjaftueshme. Në Marsejë, protestuesit vendosën kosha mbeturinash para hyrjes së një shkolle të mesme.
Një nxënëse 16-vjeçare deklaroi për AFP-në se protesta po vazhdon pasi përgjigjet e qeverisë nuk i kanë përmbushur kërkesat e tyre.
Ndërkohë, ministri i Arsimit, Édouard Geffray, u ka bërë thirrje nxënësve të kthehen në mësim, duke paralajmëruar se mungesat e gjata mund të ndikojnë në rezultatet e tyre në provimet përfundimtare.
Edhe presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar rifillimin e qetë të mësimit, duke theksuar se kërkesat e të rinjve janë dëgjuar.
Qeveria franceze përballet gjithashtu me kufizime financiare, për shkak të vështirësive ekonomike dhe presionit për të ulur borxhin publik, çka kufizon mundësitë për masa të reja financiare ndaj kërkesave të protestuesve.









