Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, ka deklaruar se Mali i Zi ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit, pas dorëzimit të pozicioneve përfundimtare për 12 kapitujt e mbetur.
Në një intervistë për agjencinë MINA, Gorçeviq tha se ky veprim është në përputhje me afatet e premtuara dhe i mundëson Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të shqyrtojnë pozicionet dhe të marrin vendime për mbylljen e kapitujve.
Ajo u shpreh optimiste se të gjithë kapitujt mund të mbyllen deri në fund të vitit, megjithëse procesi varet nga miratimi unanim i shteteve anëtare të BE-së.
Gorçeviq theksoi se në fazën përfundimtare të negociatave nevojitet angazhim i plotë i institucioneve dhe përgjegjësi nga të gjithë aktorët politikë.
Ajo përmendi edhe kapitujt 23 dhe 24, si ndër më të rëndësishmit dhe më kërkuesit, të cilët tashmë janë përfshirë në procedurë.
Duke folur për marrëdhëniet me Kroacinë, ministrja shprehu pritjen që ky shtet të vendosë për mbylljen e kapitujve të mbetur në bazë të meritave dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Ajo vlerësoi se dialogu mes dy vendeve për çështjet e hapura ka dhënë rezultate pozitive.
Gorçeviq bëri të ditur gjithashtu se paralelisht me mbylljen e kapitujve po punohet edhe në hartimin e Traktatit të Anëtarësimit, me synimin që ai të jetë gati për nënshkrim gjatë vitit të ardhshëm.
Ajo theksoi se synimi i Malit të Zi është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, me të drejta dhe detyrime të barabarta me vendet e tjera anëtare, duke nënvizuar se përgatitjet për këtë proces duhet të përfshijnë të gjitha institucionet dhe shoqërinë në tërësi.










