KATËR NXËNËS NGA DURRËSI SHOQËROHEN NË POLICI NË KOTORR, KALUAN NATËN NË KOMISARIAT

Foto: fax.al

Një incident është regjistruar në qytetin e Kotorrit, në Mal të Zi, ku katër gjimnazistë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës janë shoqëruar nga policia gjatë një ekskursioni shkollor.

Sipas informacioneve të publikuara, ngjarja ka nisur kur një e moshuar i ka pyetur nxënësit se nga vinin.

Pasi ata janë përgjigjur se ishin nga Shqipëria dhe kanë bërë simbolin e shqiponjës me duar, gruaja e ka konsideruar këtë veprim si provokim.

Më pas, ajo dyshohet se ka goditur me shuplakë njërin prej nxënësve dhe ka njoftuar policinë.

Si pasojë, katër të miturit janë shoqëruar në komisariatin e policisë në Kotorr, ku kanë kaluar natën, së bashku me një mësuese që i shoqëronte në ekskursion.

Nxënësit janë liruar më pas, ndërsa sipas raportimeve, u është kërkuar të mos përsërisin gjeste me simbole kombëtare.

Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, në një prononcim për TV Klan, ka deklaruar se çështja tashmë i është lënë në dorë gjykatës, ndaj nuk mund ta komentojë vendimin.

Ajo tha se nuk beson se ka pasur ndonjë qëllim të caktuar pas incidentit, duke bërë të ditur se ka qenë në komunikim me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë, si dhe me Policinë, nxënësit dhe prindërit e tyre.

Peto theksoi se e ka ndjekur nga afër situatën deri në përfundimin e saj.

SHARE