Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i është drejtuar kryeministrit Millojko Spajiq, duke kërkuar një analizë gjithëpërfshirëse të efekteve fiskale dhe ekonomike të “Euro model”-it, vlerësimin e ndikimit të tij në sistemin pensional dhe rikthimin e dialogut social.
Millatoviq vlerësoi se, megjithëse synimi për përmirësimin e standardit jetësor dhe rritjen e pagave është i mirëpritur, reformat e kësaj përmase duhet të mbështeten në analiza të besueshme ekonomike dhe fiskale, si dhe në konsultime me institucionet dhe partnerët socialë.
Ai shprehu shqetësim për mungesën e një vlerësimi publik të ndikimit financiar të masave të propozuara, duke theksuar nevojën për të analizuar pasojat e tyre në buxhetin e shtetit, financat e komunave dhe Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor.
Një vëmendje të veçantë presidenti i kushtoi mundësisë së heqjes së plotë të kontributeve për sigurimin pensional dhe invalidor, duke kërkuar një vlerësim të pavarur dhe afatgjatë për qëndrueshmërinë e sistemit pensional përpara çdo ndryshimi ligjor.
Gjithashtu, Millatoviq kërkoi rikthimin e dialogut social përmes konsultimeve me organizatat përfaqësuese të punëdhënësve, sindikatat dhe komunitetin e komunave, me qëllim që vendimet të përfshijnë interesat e të gjitha palëve të prekura.
Në fund, ai theksoi se përmirësimi i standardit jetësor dhe rritja e pagave duhet të shoqërohen me qëndrueshmëri financiare, transparencë dhe përgjegjësi institucionale, në mënyrë që reformat të japin rezultate të qëndrueshme për qytetarët dhe ekonominë e Malit të Zi.










