SHARANOVIQ: MBI 13 MIJË VOTUES PA KARTË IDENTITETI PREJ GATI 20 VITESH

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Më shumë se 13 mijë votues në Mal të Zi figurojnë në listën zgjedhore, ndonëse prej gati 20 vitesh nuk kanë nxjerrë kartë identiteti, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq.

Sipas tij, në listën zgjedhore janë gjithsej 13.216 persona në këtë kategori, ndërsa ka edhe votues për të cilët mungojnë fotografitë ose fotografitë ekzistuese janë disa dekada të vjetra.

Sharanoviq paralajmëroi se do të propozojë nisjen e procedurës për verifikimin e përmbushjes së kushteve ligjore për qëndrimin e këtyre personave në listën zgjedhore.

Ai gjithashtu bëri të ditur se do t’u propozojë deputetëve ndryshime ligjore që do të mundësonin përfshirjen e fotografive të votuesve në kopjet e shtypura të listës zgjedhore, me mbrojtjen përkatëse të të dhënave personale.

Ministri theksoi se shteti duhet të garantojë të drejtën e votës për çdo qytetar që i plotëson kushtet ligjore, por njëkohësisht të sigurojë saktësinë dhe ligjshmërinë e regjistrimit në listën zgjedhore.

Ai shtoi se Ministria ka përgatitur tashmë ndryshime në ligjin për regjistrat e vendbanimit dhe qëndrimit, të cilat i janë dorëzuar organeve përkatëse të Kuvendit.

SHARE