Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës, pavarësisht rezervave për përmbajtjen dhe ndikimin e tyre në proceset gjyqësore në Hagë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj votoi pro ndryshimeve duke u mbështetur në ekspertizën e PDK-së, e cila këmbënguli se ligji mund të ndihmonte në adresimin e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nagavci pranoi se pa votat e LVV-së ndryshimet nuk do të miratoheshin në Kuvend, por theksoi se partia kishte shprehur publikisht skepticizëm për efektet e ligjit dhe shpejtësinë e miratimit të tij.
Ajo tha se, pavarësisht dëshirës për të ndihmuar ish-krerët e UÇK-së, nuk është e bindur se ndryshimet ligjore do të sjellin rezultate të mëdha në proceset në Hagë.








