BULLGARIA KËRKON PËRSHPEJTIMIN E PUNIMEVE PËR KORRIDORIN VIII

Bullgaria ka organizuar një forum të posaçëm për përshpejtimin e punimeve për përfundimin e Korridorit VIII, një nga projektet kryesore të lidhjes infrastrukturore mes Ballkanit dhe pjesës tjetër të Evropës.

Në forum u theksua rëndësia e përfundimit të projektit, i cili lidh Detin Adriatik me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe përfshin ndërtimin dhe modernizimin e linjave rrugore e hekurudhore.

Komisionerja evropiane Marta Kos tha se në rajon aktualisht po zbatohen më shumë se 130 projekte që lidhen me ndërtimin e rrugëve, hekurudhave dhe përmirësimin e pikave kufitare.

Ajo theksoi se linjat e transportit janë thelbësore për lidhjen e njerëzve, shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe uljen e kostove për bizneset.

Sipas saj, Bashkimi Evropian po mbështet ndërtimin e Korridorit VIII me 319 milionë euro vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, me synimin që infrastruktura të krijojë lidhje më të forta mes vendeve të rajonit dhe Evropës.

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, e cilësoi Korridorin VIII një projekt strategjik për vendin e saj dhe theksoi nevojën për ruajtjen e momentumit politik dhe përshpejtimin e punimeve.

Ajo tha se objektivi është që korridori të përfundojë plotësisht deri në vitin 2032, duke siguruar lidhje më të mira hekurudhore, si dhe mundësi më të mëdha për lëvizshmërinë energjetike dhe ushtarake me pjesën tjetër të Evropës dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryediplomati shqiptar Ferit Hoxha, i cili tha se Korridori VIII është pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe se lidhshmëria infrastrukturore është një formë e integrimit evropian.

Sipas tij, infrastruktura është gjithashtu çështje sigurie dhe gjeopolitike, pasi lidhjet e transportit, energjisë dhe rrjetet digjitale ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e vendeve.  

Në konferencën ndërkombëtare për Korridorin VIII në Sofje mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kërkoi përfshirjen e plotë të Kosovës në këtë rrjet.

Ai theksoi rëndësinë e lidhjes rajonale për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik, duke përmendur investimet në Linjën Hekurudhore 10 dhe projektin hekurudhor Prishtinë-Durrës si pjesë të përpjekjeve për forcimin e ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor.

Korridori VIII shtrihet nga Deti Adriatik deri në Detin e Zi, përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, dhe përfshin lidhje rrugore dhe hekurudhore që synojnë të forcojnë ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor me tregun dhe infrastrukturën evropiane.

SHARE