Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje që armëpushimi në Gaza të bëhet i përhershëm, duke kërkuar që të rritet ndihma humanitare dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare.
Në prag të trevjetorit të sulmeve të 7 tetorit 2023, Guterres tha se izraelitët dhe palestinezët duhet të mund të jetojnë në paqe dhe siguri, me të drejta dhe dinjitet të barabartë.
Ai theksoi se armëpushimi ka sjellë një lehtësim të caktuar, por ende nuk ka garantuar siguri, ndihma të mjaftueshme humanitare apo një rrugë të qëndrueshme drejt paqes.
Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura dhe të kalojnë në fazën tjetër të armëpushimit, duke theksuar nevojën për një zgjidhje politike që do të sigurojë paqe të qëndrueshme në rajon.
Ai gjithashtu nderoi viktimat e sulmeve të 7 tetorit dhe tha se vuajtjeve të palestinezëve në Gaza duhet t’u jepet fund.








