KUVENDI I KOSOVËS MIRATON NË LEXIM TË PARË NDRYSHIMET PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me 91 vota për, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

Nisma është propozuar nga PDK-ja dhe synon që krimet e luftës të hetohen dhe gjykohen nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, ndërsa Dhomat e Specializuara të vazhdojnë të kenë kompetencë për pretendimet lidhur me trafikimin e organeve.

Kryeministri Albin Kurti tha se LVV-ja do ta mbështesë projektligjin, megjithëse nuk është e bindur për dobishmërinë e tij, duke theksuar se beteja juridike për rastet në Hagë duhet të zhvillohet përmes apelit dhe një strategjie të përbashkët shtetërore.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk kërkon mbylljen e Gjykatës Speciale, por llogaridhënie, ndërsa deputeti Përparim Gruda tha se ndryshimet nuk prekin Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Në anën tjetër, LDK-ja kundërshtoi nismën, duke argumentuar se një aktgjykim mund të ndryshohet vetëm përmes rrugës gjyqësore dhe mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, si dhe paralajmëroi për pasoja të mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare.

Në seancë nuk morën pjesë as deputetët e Listës Serbe, ndërsa munguan edhe disa deputetë të tjerë.

SHARE