COSTA: ZGJERIMI I BE-së, PËRPARËSI GJEOSTRATEGJIKE PËR EVROPËN

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u tha studentëve të Kolegjit të Europës në Poloni se zgjerimi është përsëri një përparësi gjeostrategjike për Evropën e bashkuar.

“Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim ka gjeneruar një dinamizëm të ri në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian.

Ky moment nuk kufizohet vetëm në Ukrainë, por shtrihet në Moldavi dhe në të gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor.

E ardhmja e tyre qëndron brenda Bashkimit Evropian, me një qasje të bazuar në meritë ndaj pranimit që siguron standardet më të larta për të gjithë”, tha Costa. Presidenti i KE përmendi zhvillimin ekonomik që i pret shtetet që do të anëtarësohen në BE siç ndodhi me ato qe janë anëtarësuar në vitin 2004.

“Shtetet që u anëtarësuan në BE që nga viti 2004 e kanë më shumë se dyfishuar ekonominë e tyre. Këto shtete që nga anëtarësimi kanë krijuar mbi 6 milionë vende të reja pune. Ky fakt dëshmon se çdo pranim i shteteve të reja e ka forcuar Evropën dhe ka zgjeruar zonën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit”, tha Costa.

Sipas Costas çdo shtet duhet të vlerësohet individualisht.

“Çdo shtet kandidat duhet të vlerësohet individualisht sipas progresit dhe arritjeve të tij, dhe të gjithë duhet të ndajnë vlerat dhe objektivat e Bashkimit Evropian. Ne duhet të shkojmë përtej një historie ndarjeje dhe fragmentimi dhe të përqafojmë, një herë e përgjithmonë, një të ardhme të përbashkët evropiane. Le ta bëjmë zgjerimin realitet”, tha Costa.

Më 15 tetor Këshilli Evropian do ti rikthehet temës së zgjerimit pas propozimit që erdhi nga Ursula Von Der Leyen për tu dhënë shteteve pararojë si Shqipëria e Mali i Zi afate konkrete për anëtarësimin e tyre të plotë në familjen evropiane.

SHARE