Tetëmbëdhjetë republikanë iu bashkuan demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve për të miratuar Aktin e Mbështetjes për Ukrainën, duke i dhënë një tjetër goditje politike presidentit amerikan Donald Trump.
Projektligji i miratuar parashikon mbi 1 miliard dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë për Kievin dhe deri në 8 miliardë dollarë kredi për mbështetje financiare.
Ai përfshin gjithashtu masa të ashpra ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksione dhe kufizime të eksportit që prekin sektorët financiarë, energjetikë dhe minierat.
Sipas raportimeve, ligji pritet të përballet me kundërshtim nga presidenti Trump, i cili më herët ka shprehur rezerva ndaj rritjes së ndihmës amerikane për Ukrainën dhe mund të vendosë veto ndaj tij.
Vota në Dhomën e Përfaqësuesve shihet si një tjetër shenjë përçarjeje brenda Partisë Republikane, pasi një pjesë e ligjvënësve republikanë kanë dalë kundër qëndrimeve të udhëheqjes së tyre.
Një ditë më parë, disa republikanë votuan gjithashtu kundër autorizimit të sulmeve të mëtejshme pa miratimin e Kongresit.
Ndërkohë, javën e fundit janë raportuar edhe përplasje të tjera politike mes ligjvënësve republikanë dhe administratës, përfshirë tërheqjen e një plani financiar për aleatë politikë pas kundërshtimeve të brendshme.
Ligji i miratuar konsiderohet si një nga paketat më të mëdha të ndihmës për Ukrainën që ka kaluar në Kongres që nga rikthimi i Trump në pushtet.









