KALLAS BËN THIRRJE PËR “BISEDIME MË TË THELLA” PËR RAKETAT DHE REZERVAT BËRTHAMORE TË IRANIT

Çdo marrëveshje e përkohshme për paqe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duhet të pasohet nga bisedime më të thella mbi rezervat bërthamore të Teheranit, raketat dhe çështje të tjera kritike, theksoi të hënën shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Islamabad, Kallas tha se sheh një “mundësi të brishtë diplomatike” për ta zgjatur armëpushimin e tanishëm dhe për ta rihapur Ngushtica e Hormuzit, pavarësisht shkëmbimit të sulmeve gjatë natës nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara.

“Çdo mirëkuptim i përkohshëm midis SHBA-së dhe Iranit duhet të pasohet nga bisedime më të thella mbi rezervat bërthamore të Teheranit dhe çështje të tjera kritike”, tha diplomatja më e lartë e bllokut evropian në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar.

Kallas vlerësoi rolin e Pakistanit si ndërmjetës në krizën e Gjirit dhe shprehu gatishmërinë e BE-së për të kontribuar në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjes SHBA-Iran, duke përmendur “ndikimin ekonomik” të bllokut, “ekspertizën e fituar me vështirësi në fushën bërthamore”, “marrëdhëniet afatgjata me partnerët në të gjithë Gjirin” dhe “angazhimin e drejtpërdrejtë me vetë Iranin”.

“Shoh një rol konkret për BE-në në ndihmën për ta bërë çdo marrëveshje të ardhshme të qëndrueshme – qoftë përmes operacioneve detare apo përmes stimujve ekonomikë që mbështesin stabilitetin afatgjatë”, tha ajo, duke sugjeruar “kushte të rrepta” për një “rrugë të kalibruar drejt lehtësimit të sanksioneve” ndaj Iranit.

Kallas tha se vizita e saj e parë në Islamabad “thekson vrullin e vazhdueshëm të shkëmbimeve politike të nivelit të lartë midis Pakistanit dhe BE-së dhe pasqyron një angazhim të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit Pakistan–BE”.

Duke iu referuar përplasjeve të fundit kufitare të Pakistanit me regjimin taliban në Afganistanin fqinj, ajo tha se luftimet kanë pasur “pasoja të rënda humanitare” dhe rrezikojnë të nxisin më tej “paqëndrueshmërinë dhe radikalizimin”.

Ajo shtoi se “Pakistani ka të drejtë të mbrojë veten dhe qytetarët e tij në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Por dialogu, jo sulmet ajrore, është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo situatë”.

SHARE