Investimi i Rusisë në Flotën e saj Veriore nuk është zvogëluar, pavarësisht viteve të konfliktit në Ukrainë, deklaroi të martën komandanti më i lartë i Marinës Mbretërore britanike, duke shtuar se reagimi ndaj qëndrimit agresiv të Moskës përbën një provë serioze për fuqitë perëndimore.
“Investimi rus në Flotën Veriore, dhe veçanërisht në aftësitë nënujore, nuk është zvogëluar”, tha gjenerali Gwyn Jenkins, komandant i Marinës Mbretërore, gjatë një konference për mbrojtjen të mbajtur në Paris.
“Sado e lartë të ketë qenë kostoja për Rusinë, si në burime kombëtare ashtu edhe në humbje njerëzore gjatë luftës në Ukrainë, ajo ka vazhduar të investojë burime të konsiderueshme në Flotën e saj Veriore dhe në zhvillimin e kapaciteteve nënujore”, theksoi Jenkins.
Ai, i cili foli përkrah drejtuesve të lartë të marinave të Shteteve të Bashkuara, Francës, Italisë dhe Holandës, vlerësoi se aktivitetet e Rusisë po vënë në provë aftësitë ushtarake të Perëndimit, veçanërisht duke pasur parasysh kohën e gjatë që kërkohet për modernizimin, ndërtimin dhe zhvillimin e anijeve të reja në një mjedis teknologjik që ndryshon me shpejtësi.
“Nuk nevojiten shumë mjete për të na bashkuar si aleatë, sepse kemi një tolerancë shumë të ulët ndaj rrezikut që një aktor agresiv të veprojë në ‘oborrin’ tonë. Megjithatë, reagimi ndaj këtyre kërcënimeve kërkon burime të mëdha”, shtoi Jenkins.
Komentet e tij u mbështetën edhe nga zëvendësadmirali Harold Liebregs, komandant i Marinës Mbretërore të Holandës, i cili paralajmëroi se Rusia po rrit ndjeshëm praninë e saj në Detin e Veriut dhe po shfaq aktivitet të shtuar pranë infrastrukturës jetike, çka mund të sinjalizojë përgatitje për veprime të mëtejshme.
“Ne shohim anije që operojnë pranë territorit tonë, dronë që fluturojnë mbi hapësirën tonë dhe të ashtuquajturën ‘flotë hije’, e cila po mbështet ekonominë ruse të luftës duke përdorur anije të pamirëmbajtura dhe të pasiguruara, që përbëjnë kërcënime serioze për Detin e Veriut”, tha Liebregs.
Ai theksoi se ky realitet nuk duhet pranuar si normalitet i ri, pasi kufizon lirinë e manovrimit të vendeve perëndimore dhe krijon një pozicion strategjik më pak të favorshëm.








