Një stuhi e fuqishme dimërore pritet të godasë këtë fundjavë pjesë të juglindjes së Shteteve të Bashkuara, duke sjellë reshje të dendura bore, erëra shumë të forta dhe përmbytje të rrezikshme bregdetare.
Zonat më të prekura pritet të jenë Karolina e Veriut, Karolina e Jugut dhe Virxhinia.
Ndikimet e para do të ndihen që nga mbrëmja e së premtes dhe pritet të përkeqësohen gjatë së shtunës. Sipas meteorologëve, një sistem presioni i ulët do të formohet pranë brigjeve të Karolinës së Veriut dhe do të forcohet shpejt.
Ky fenomen do të tërheqë ajër shumë të ftohtë nga veriu, duke sjellë borë edhe në zona që rrallë përjetojnë mot ekstrem dimëror. Më shumë se 28 milionë banorë janë nën paralajmërime dhe alarme për stuhi dimërore, ndërsa ende po përballen me pasojat e stuhisë së fundjavës së kaluar.
Reshjet më intensive të borës priten në Karolinën e Veriut (qendrore dhe lindore) dhe në Virxhinian jugore, me trashësi nga 13 deri në 25 centimetra.
Era pritet të jetë veçanërisht e rrezikshme përgjatë bregdetit, ku shpërthimet mund të arrijnë deri në 120 km/orë, duke krijuar kushte të ngjashme me stuhi tropikale. Rreziku i përmbytjeve bregdetare rritet ndjeshëm, pasi erërat e forta do të përkojnë me baticat më të larta të muajit.
Autoritetet paralajmërojnë për përmbytje, erozion të plazheve dhe dallgë të rrezikshme në zonat bregdetare të Karolinës së Veriut dhe Virxhinias.








