Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e avancuara përbëjnë një mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi për Malin e Zi, veçanërisht për shtetet e vogla që mund të përfitojnë më shumë nga epoka e re teknologjike.
Ai theksoi se IA tashmë është pjesë e përditshmërisë së të gjithëve dhe se vendi duhet ta shfrytëzojë këtë potencial.
Spajiq theksoi se energjia elektrike relativisht e lirë është një avantazh strategjik për Malin e Zi, pasi përbën bazën për funksionimin e datacentre-ve dhe prodhimin e IA-së.
Ai propozoi që IA dhe teknologjitë e avancuara të bëhen shtylla e tretë e ekonomisë, krahas turizmit dhe sektorit energjetik.
Kryeministri inkurajoi qytetarët të mësojnë programim, duke theksuar se frika nga kodi është e pajustifikuar dhe se aftësitë teknologjike duhet të jenë të qasshme për të gjithë, pavarësisht formimit arsimor.
Ai u shpreh optimist për të ardhmen e vendit, duke theksuar se kapitali njerëzor është në qendër të zhvillimit dhe se edukimi është çelësi për të përdorur IA-në në mënyrë të dobishme dhe të sigurt.









