Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në seancën e tretë të Parlamentit Rinor, u bëri thirrje të rinjve që të jenë aktivë, të mos heshtin dhe të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse.
Ai theksoi se Mali i Zi mund të bëhet një vend modern, evropian dhe më i suksesshëm vetëm me angazhimin e një gjenerate të re që nuk pranon zakonet dhe gabimet e së kaluarës.
Millatoviq tha se njohuria ka fuqinë të ndryshojë shoqërinë, por vetëm kur të rinjtë refuzojnë heshtjen.
Ai theksoi rëndësinë e reformave, integrimit në Bashkimin Evropian dhe krijimit të një ekonomie ku puna e ndershme shpërblehet.
Presidenti kërkoi reforma zgjedhore që do t’u mundësonin qytetarëve të zgjedhin individë, e jo parti.
Ai i inkurajoi të rinjtë të jenë të pranishëm “kudo ku merret vendimi”, të jenë të zëshëm dhe të mos presin që dikush tjetër t’u japë hapësirë.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, duke hapur Parlamentin Rinor, tha se ai është një mekanizëm institucional që u mundëson të rinjve të marrin pjesë në mënyrë të strukturuar dhe transparente në procesin e vendimmarrjes.
Ai kujtoi se politikanët shpeshherë në fjalimet e tyre thonë se të rinjtë janë e ardhmja dhe se përbëjnë një të nesërme më të mirë për shtetin e tyre.
“Edhe kjo është e vërtetë, por realiteti është e tashmja, të cilën mund ta ndryshojmë dhe ta përshtatim me pritshmëritë e të rinjve që në Mal të Zi mësojnë, punojnë dhe krijojnë,” tha Camaj.
Ai shtoi se, si profesor në gjimnazin e Tuzit, u transmetonte nxënësve të tij dije, por edhe vetë mësonte prej tyre.
“Prandaj mendoj se një sinergji e tillë është e mundur edhe këtu sot dhe në të ardhmen. Jo vetëm që është e mundur, por është edhe e domosdoshme për rrugën tonë evropiane dhe për ne vetë,” theksoi Camaj.









