NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E RE KOLEKTIVE SEKTORIALE NË ARSIMIN E MALIT TË ZI

Foto: Ilustrim

Pas tre muaj negociatash mes Sindikatës së Arsimit të Malit të Zi dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, si dhe Ministrisë së Financave, u nënshkrua Marrëveshja e re Kolektive Sektorial për fushën e arsimit.

Dokumenti i ri nuk parashikon rritje të koeficientëve të pagave, por sjell shtesa të rritura që, sipas Sindikatës, zbusin efektet negative të zbatimit të orës së kujdestarisë dhe u rikthejnë një pjesë të punonjësve në nivelin e mëparshëm të të ardhurave.

Shtesa për kujdestarinë e klasës rritet nga 10% në 12%, ndërsa për edukatorët në kopsht nga 5% në 6%.

Rriten gjithashtu shtesat për titujt mësimorë e shkencorë dhe për punën në klasat e kombinuara.

Një ndryshim i rëndësishëm është ulja e kriterit për angazhimin e bashkëpunëtorëve profesionalë, gjë që pritet të mundësojë punësimin e më shumë pedagogëve, psikologëve, sekretarëve dhe llogaritarëve.

Risi është edhe shtesa prej 10% për kuzhinierët në kopshte, ndërsa edukatorët në qendrat resursale marrin 6% më shumë, e koordinatorët e praktikës në shkollat profesionale 3%.  

“Do të vazhdojmë të angazhohemi për dinjitetin e profesionit dhe kushte më të mira pune. Qëllimi ynë mbetet i pandryshuar – një punonjës arsimi i motivuar dhe i kënaqur”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Arsimit të Malit të Zi.

SHARE