Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar disa vendime të rëndësishme, përfshirë emërimin e Millan Popoviqit si anëtar të Senatit të Institucionit Shtetëror të Revizionit dhe dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në përbërje të mekanizmit të NATO-s për ndihmë dhe trajnim të sigurisë për Ukrainën.
Për zgjedhjen e Popoviqit votuan 43 deputetë, ndërsa për dërgimin e trupave 44 deputetë ishin për, pesë kundër dhe dy abstenuan.
Gjithashtu, deputetët miratuan ndryshimet në Ligjin për tatimin mbi të ardhurat personale dhe Ligjin për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, me 51 vota për.
Ndryshimet parashikojnë që qytetarët që investojnë në obligacione shtetërore, të bankës qendrore ose të vetëqeverisjeve lokale, të përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi interesat, duke synuar nxitjen e investimeve në tregun vendas të kapitalit.
Deputeti i Lëvizjes “Evropa Tani”, Tonqi Janoviq, shpjegoi se qëllimi është që qytetarët të orientohen drejt investimeve të sigurta brenda vendit, në vend që të mbajnë kursimet në banka me kamata të ulëta.
Ai shtoi se shteti ka emetuar obligacione me vlerë 50 milionë euro dhe interes vjetor 3,75%, ndërsa interesi i qytetarëve ka qenë i madh.
Nga ana tjetër, deputetë të opozitës, si Aleksandra Despotoviq dhe Boris Mugosha, paralajmëruan për rreziqet e inflacionit dhe shtimin e borxhit publik, duke theksuar se qeveria duhet të shpjegojë përdorimin e mjeteve të mbledhura. Në seancë pati edhe debate politike lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarit të Senatit të Institucionit Shtetëror të Revizionit.
Deputetët e opozitës, si Millosh Konatar dhe Boris Mugosha, e cilësuan procesin si “të kontaminuar” dhe paralajmëruan se mund të ndikojë negativisht në kapitullin 32 të negociatave të anëtarësimit në BE, që lidhet me kontrollin financiar.
Deputetë të shumicës, përfshirë Vasilije Çarapiq dhe Zdenka Popoviq, mbrojtën emërimin e Popoviqit, duke theksuar integritetin e tij profesional.
Në përfundim, Kuvendi miratoi të gjitha propozimet e parashikuara në rendin e ditës, duke përfshirë emërimin në Senatin e Institucionit Shtetëror të Revizionit, ndryshimet fiskale dhe angazhimin ushtarak në kuadër të NATO-s.











