Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi që nga viti 2024, vetëm përmes bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Investime, në kuadër të projektit “Përmirësimi i arsimit malazez (Montenegro Education Project – MEP)”, ka siguruar deri tani 16,8 milionë euro fonde të pakthyeshme.
Siç thuhet në njoftimin e përbashkët të MASHI dhe Bankës Evropiane për Investime, janë siguruar:
- 11 milionë euro nga grantet investuese përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe donatorëve bilateralë,
- 2 milionë euro grant nga Banka Evropiane për Investime për pajisje kompjuterike,
- 2,3 milionë euro grant nga Banka Evropiane për Investime për mbështetjen e projektit “Analiza funksionale e arsimit malazez”, që po zbatohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe UNOPS,
- 1,2 milionë euro grant nga fondi ERI për mbështetje teknike, dhe
- 300 mijë euro grant për zbatimin e Strategjisë së Digjitalizimit të Arsimit, për zbatimin e së cilës do të jetë përgjegjës UNICEF-i.
“Falë bashkëpunimit intensiv me Bankën Evropiane për Investime dhe përgatitjes së aplikimeve të reja të përbashkëta, shpresojmë që këtë vit ta përmbyllim me lajme të mira dhe me një grant të ri të pakthyeshëm që do të mundësojë zbatimin më të shpejtë dhe më efikas të reformave në sistemin arsimor të Malit të Zi,” deklaroi ministrja Angjella Jakshiq Stojanoviq.











