Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, deklaroi në Parlament se Mali i Zi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian si vend me të drejta të plota votimi deri në vitin 2028.
Ajo theksoi se ndonëse ekziston mundësia për pasoja financiare nëse ndërtimi i kolektorit në Botun nuk nis deri në fund të vitit, kjo nuk do të ndikojë në mbylljen e Kapitullit 27, që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimet klimatike, i cili planifikohet të mbyllet deri në fund të vitit të ardhshëm.
Gorçeviq theksoi se rruga drejt BE-së paraqet dy sfida kryesore: kapacitetet administrative dhe ato financiare.
Ajo bëri të ditur se është përgatitur një analizë e investimeve të nevojshme për përmbushjen e kritereve përfundimtare, e cila tregon se Mali i Zi ka kapacitet fiskal dhe institucional për realizimin e reformave përmes planifikimit të kujdesshëm.
Sipas saj, investimet më të mëdha do të përqendrohen në infrastrukturë, përforcimin e administratës dhe mbështetjen teknike.
Për Kapitullin 27, që është ndër më të kushtueshmit, parashikohen deri në vitin 2035 investime prej rreth 3 miliardë eurosh, përfshirë 900 milionë për impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, 350 milionë për mbrojtjen e ajrit dhe klimës, dhe 200 milionë për mbrojtjen e natyrës.
Gorçeviq shtoi se këto investime do të sjellin përmirësim të cilësisë së jetës dhe hapje të vendeve të reja të punës, ndërsa Komisioni Evropian e sheh Malin e Zi si partner të besueshëm.
Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të PDS-së për zbatimin e agjendave reformuese dhe përdorimin e fondeve evropiane, ministrja theksoi se mjetet financiare nuk janë humbur, por lëshohen në mënyrë graduale, sipas përmbushjes së reformave dhe vlerësimit të Komisionit Evropian.
Ajo në fund theksoi se Brukseli pret që Mali i Zi të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2026, duke hapur rrugën për anëtarësim të plotë në BE në vitin 2028, me të njëjtat të drejta si të gjitha vendet e tjera anëtare.











