KRIZA E RE NË LINDJEN E MESME NË EPIQENDËR TË SAMITIT TË G7-ës

Izraeli dhe Irani po vazhdojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit, ndërsa udhëheqësit e Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) janë mbledhur në Kanada për një samit ku pritet të diskutohet për luftimet dhe mënyrat se si të ndalohet përshkallëzimi i mëtejmë i konfliktit.

Edhe lufta në Ukrainë do të jetë në agjendën e takimit treditor të udhëheqësve të Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, i cili po mbahet në Kananaskis të Kanadasë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë dhe, gjatë qëndrimit të tij atje, të takohet edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.

Para se të nisej nga Uashingtoni drejt Kanadasë më 15 qershor, Trump u pyet se çfarë hapash po ndërmerr për të ulur tensionet në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.

“Shpresoj që të ketë një marrëveshje”, tha ai. “Mendoj se është koha për një marrëveshje”, shtoi udhëheqësi amerikan.

Trump ka lavdëruar ofensivën e Izraelit, ndërkaq ka hedhur poshtë akuzat e Iranit se SHBA-ja ka marrë pjesë në këtë ofensivë, duke paralajmëruar Teheranin që të mos ndërmarrë sulme ndaj caqeve amerikane.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, më 15 qershor, i tha se diplomacia është rruga më e mirë drejt zgjidhjes.

Duke folur në një konferencë të G7-ës, von der Leyen për dhunën e re e fajësoi Iranin, duke përmendur gjetjet e bëra publike javën e kaluar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, të cilat tregonin se Irani nuk po i përmbushte obligimet e tij.

“Në këtë kontekst, Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten. Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale”, tha von der Leyen.

Ajo theksoi se në samitin e G7-ës duhet të diskutohet për krizën me Iranin, por edhe për Ukrainën, e cila po sulmohet me dronët që Teherani ia ka shitur Rusisë.

“Lloji i njëjtë i dronëve të prodhuar nga Irani dhe raketat balistike po godasin qytetet në Ukrainë dhe në Izrael. Prandaj, këto kërcënime duhet të adresohen së bashku”, tha ajo.

Von der Leyen u shpreh gjithashtu se duhet t’i bëhet më shumë presion Rusisë për të arritur një armëpushim në Ukrainë.

Izraeli tha se i nisi sulmet për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Ai ka vrarë komandantë kryesorë dhe shkencëtarë iranianë gjatë sulmeve fillestare më 13 qershor. Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Iran, të paktën 224 persona janë vrarë. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Hossein Kermanpour, ka deklaruar se 1.277 persona të tjerë janë hospitalizuar, duke shtuar se mbi 90 për qind e viktimave janë civilë.

Në Izrael, të paktën dhjetë persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë.

SHARE