Qeveria e Malit të Zi dhe ministritë përkatëse mbeten të përkushtuara për përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe forcimin e konkurrencës së ekonomisë vendase, në të cilën do të kontribuojnë ndjeshëm aktivitetet e Fondit të Kredive dhe Garancisë të Malit të Zi përmes krijimit të një kuadri ligjor.
Kështu u bë e ditur në takimin e zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj dhe ministrit të Financave Novica Vukoviq me shefin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Mal të Zi, Ramon Zakarina.
Sipas departamentit, takimi ishte një mundësi për të diskutuar më në detaje mbi rolin e ardhshëm të Fondit të Kredive dhe Garancisë në sistemin financiar të Malit të Zi, në kuadër të transformimit të Fondit për Investime dhe Zhvillim në Bankën Zhvillimore të Malit të Zi.
“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si një nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Qeverisë së Malit të Zi, në periudhën e mëparshme ka ofruar mbështetje të konsiderueshme teknike për krijimin e Fondit të Kredive dhe Garancisë të Malit të Zi, i cili zbatohet në disa faza. Ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të përmirësuar mjedisin për funksionimin më të mirë të biznesit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.