Gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), kandidatja për Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, theksoi se Bashkimit i duhen rezultate të qarta në zgjerim në pesë vitet e ardhshme.
“Mendoj se duhet të kemi vërtet histori suksesi në pesë vjet në drejtim të zgjerimit, sepse është e rëndësishme jo vetëm për prosperitetin e rajonit, por edhe për t’i dhënë shpresë rajonit”, theksoi Kallas.
Ajo tha se së bashku me komisioneren për zgjerim do të punojnë që zgjerimi të bëhet realitet me vlerësimin se “problemet e sotme të fqinjëve tanë do të jenë problemet tona nesër”.
Ajo thekson se në rajon është e nevojshme të veprohet në dy pista – në drejtim të afrimit ekonomik dhe progresit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili do të sillte stabilitet në rajon.
Duke folur për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, Kallas theksoi se ka shumë tension në rajon dhe paralajmëroi se do të vizitojë Ballkanin Perëndimor në pjesën e parë të mandatit të saj.
Me rastin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Kallas theksoi se fitorja e Ukrainës është prioritet i BE-së, e cila duhet të ofrojë aq ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare sa është e nevojshme.
Ajo tha gjithashtu se avokon për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe theksoi se zgjerimi në vendet fqinje është një investim gjeostrategjik që është në interes të BE-së.