Mali i Zi po përparon drejt arritjes së reformave kyçe, nga forcimi i institucioneve demokratike e deri te forcimi i shtetit të së drejtës, vlerësoi kryetari i OSBE-së dhe ministër i Jashtëm i Maltës, Ian Borzh.
Në konferencën për media, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, ai tha se vizita e tij në Mal të Zi thekson partneritetin e vendosur dhe efikas të OSBE-së me Malin e Zi, pasi ata punojnë së bashku për stabilitet dhe përparim më të madh.
“Mali i Zi po bën përparim drejt arritjes së reformave kyçe, nga forcimi i institucioneve demokratike te forcimi i shtetit të së drejtës, dhe me vizitën time sot dua të rikonfirmoj se OSBE-ja është e gatshme të jetë një partner i përkushtuar në çdo hap të rrugës”, tha Borzh.
Siç tha ai, Misioni i OSBE-së në Mal të Zi është i angazhuar në mënyrë aktive me entitetet kombëtare dhe lokale, duke sjellë ekspertizë në fusha kyçe, si angazhimi i të rinjve dhe barazia gjinore.
Ai tha se, së bashku me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, janë të përkushtuar për forcimin e transparencës gjatë proceseve zgjedhore, të cilat respektojnë të drejtat e të gjithë votuesve, duke përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara.
Ibrahimoviq theksoi se takimi i sotëm nuk është vetëm diplomatik, por simbol i përkushtimit të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe përparimin në rajon dhe më gjerë.
“Kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë dhe dërgon një mesazh të fortë mbështetjeje dhe miqësie”, tha Ibrahimoviq.
Siç theksoi ai, Mali i Zi e sheh OSBE-në si një partner kyç në promovimin e paqes dhe sigurisë në një botë që po përballet me sfida gjithnjë e më komplekse.
“Vendi ynë është i palëkundur në mbështetjen e tij për misionin e OSBE-së dhe ne besojmë në forcën e kësaj organizate për të ruajtur dhe rivendosur ndikimin e saj në rrethanat më të vështira”, tha Ibrahimoviq, duke shtuar se, pavarësisht rrethanave të vështira, multilateralizmi nuk e ka humbur forcën, por sot është më e rëndësishme se kurrë.
Sipas Ibrahimoviq, takimi i sotëm nuk është vetëm takim i dy kolegëve, por dëshmi se Mali i Zi mbetet i përkushtuar në promovimin e vlerave universale të paqes dhe sigurisë.