SANDU FITON ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË MOLDAVI

Presidentja pro Bashkimit Evropian e Moldavisë, Maia Sandu, ka shpallur fitoren ndaj sfiduesit të saj, Alexandr Stoianoglo, që është miqësor me Rusinë, në zgjedhjet presidenciale të përcjella me akuza për ndërhyrje ruse dhe mashtrime zgjedhore.

Me 99.7 për qind të votave të numëruara për balotazhin e 3 nëntorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Sandu ka fituar 55.35 për qind të votave, ndërkaq Stoianoglo 44.65 për qind. Presidentja aktuale ka një epërsi prej 165.000 votash, sipas rezultateve paraprake.

“Moldavi, ti je fituese”, tha Sandu pak pas mesnatës, fitorja e së cilës u forcua nga votat në kryeqytet, Kishinjev, dhe në diasporë.

“Sot, të dashur moldavianë, keni dhënë një mësim për demokracinë që është i denjë të futet në librat e historisë. Sot, ju keni shpëtuar Moldavinë. Për një të ardhme me dinjitet”, shtoi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mirëpriti rezultatin zgjedhor në Moldavi.

“Urime e dashura Maia Sandu për fitoren tuaj sonte. Duhet një forcë e rrallë për të tejkaluar sfidat me të cilat jeni përballur në këto zgjedhje”, shkroi von der Leyen në X. “Jam e lumtur që do të vazhdoj të punoj me ju drejt të ardhmes evropiane të Moldavisë dhe popullit të saj”.

Stoianoglo, i cili ende nuk e ka pranuar humbjen, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të qëndrojnë të qetë.

“Demokracia, para së gjithash, do të thotë maturi në përballje me rezultatin”, tha ai.

Paraprakisht, Stoianoglo kishte epërsi, por epërsia u ngushtua teksa vazhdoi numërimi i votave në qytete të mëdha dhe votave të diasporës perëndimore të Moldavisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se dalja kaloi 54 përqindëshin, që është pjesëmarrje më e lartë sesa në rundin e parë dhe më e larta që nga balotazhi i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

SHARE