GREQIA SËRISH NË LUFTË ME ZJARRE MASIVE VDEKJEPRURËSE

Përderisa zjarret vazhdojnë në ditën e tretë në zonën pyjore të gadishullit të Peloponezit në Greqi, është bërë thirrje për evakuimin e fshatrave Sofiana dhe Rethi në rajon.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror grek, ERT, banorët e fshatrave Sofiana dhe Rethi kanë marrë një mesazh në celularët e tyre mëngjesin e sotëm nga shërbimet e Mbrojtjes Civile, ku u kërkohet të evakuojnë zonën.

Dy zjarrfikës kanë mbetur të plagosur gjatë betejës për të shuar zjarrin, i cili ka vijuar në shumë fronte dhe është afruar në zona të banuara.

Ditën e djeshme ishte zbuluar se nga zjarri kanë humbur jetën dy banorë të zonës, të moshës 35 dhe 40-vjeç, të cilët kanë marrë pjesë vullnetarisht në punimet për shuarjen e zjarrit.

Përpjekjet për shuarjen e zjarrit pyjor, i cili nisi të dielën pranë Ksilokastros në gadishullin e Peloponezit, vijojnë në ditën e tretë, si nga ajri ashtu edhe nga toka.

Ndërkaq, përpjekjet për shuarjen e zjarrit, të mbështetur nga ekipet e zjarrfikësve, banorëve vendas dhe vullnetarëve, po vazhdojnë me vështirësi për shkak të erës së fortë që mbizotëron në rajon.

SHARE