FRANCA NË SHËNJESTËR TË SULMEVE, TJETËR SABOTAZH

Vandalët kanë sulmuar linjat e telekomit në disa pjesë të Francës gjatë natës, duke ndërprerë disa shërbime fikse dhe celulare, tha të hënën ministrja për çështjet dixhitale, Marina Ferrari.

Një burim policor tha se ishte shumë herët për të thënë nëse kishte ndonjë lidhje me sabotimin në rrjetin hekurudhor të shpejtësisë së lartë, i cili shkaktoi kaos udhëtimi disa orë përpara fillimit të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit të premten.

Ferrari e quajti vandalizmin “një akt të poshtër dhe të papërgjegjshëm” dhe tha se po punohej për rikthimin dhe funksionimin e shërbimeve.

Një zëdhënës i operatorit të telekomunikacionit SFR tha se vandalët kishin dëmtuar rrjetin e tij në distanca të gjata në pesë vende të ndryshme të Francës, në orët e para të së hënës.

Ndikimi te klientët ishte minimal sepse rrjeti është krijuar për të ridrejtuar trafikun, tha ai.

Gazeta Le Parisien raportoi më herët se kabllot në kabinat elektrike ishin prerë në Francën jugore dhe se instalimet në rajonin Meuse pranë Luksemburgut dhe zonën Oise pranë Parisit ishin dëmtuar, duke prekur kryesisht shërbimet e linjave fikse.

Shërbimet hekurudhore në anën tjetër, mundën të ktheheshin në normalitet të hënën në mëngjes, sipas Ministrit të Transportit, Patrice Vergriete.

Në total, rreth 800,000 njerëz u përballën me probleme, duke përfshirë 100,000, trenat e të cilëve duhej të anuloheshin plotësisht.

SHARE