BLINKEN: TË VENDOSUR PËR TË PARANDALUAR PËRSHKALLËZIMIN E KONFLIKTIT IZRAEL-HEZBOLLAH

Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të parandaluar që konflikti ushtarak midis Izraelit dhe luftëtarëve të Hezbollahut me bazë në Libanin jugor të përshkallëzohet në një luftë gjithëpërfshirëse, tha të hënën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken para një auditori në Institutin Brookings me qendër në Uashington.

Sipas Sekretarit Blinken “asnjë nga aktorët kryesorë në të vërtetë nuk dëshiron luftë”.

“Unë nuk besoj se Hezbollahu në të vërtetë dëshiron luftë. Izraeli nuk dëshiron luftë, megjithëse mund të jetë i përgatitur të përfshihet në një të tillë nëse është e nevojshme. Libani sigurisht që nuk dëshiron një luftë, sepse do të ishte viktima kryesore në një luftë të tillë”, shtoi ai.

“Po ashtu nuk besoj se Irani dëshiron luftë sepse nuk do që Hezbollahu të shkatërrohet dhe sepse mund të synojë ta mbajë Hezbollahun si “kartë” nëse do i nevojitet”.

Ndërsa zoti Blinken mbante fjalën, përmes mikrofonit të tij mund të dëgjoheshin protestuesit pro-palestinez jashtë Institutit Brookings.

Sekretari Blinken përsëriti thirrjen drejtuar kreut të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar, për të pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA-të dhe nënvizoi nevojën për një plan të mirëpërgatitur për Gazën pas luftës.

“Kur konflikti të përfundojë duhet të ketë plane të qarta dhe të arritshme për qeverisjen në Gazë, për sigurinë e saj dhe natyrisht për të ndihmuar njerëzit që të rindërtojnë jetët e tyre, të cilat janë shkatërruar”, tha ai.

SHARE