MACRON I PËRMEND KURTIT ASOCIACIONIN TEKSA FLET PËR RRUGËN E KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS

France's President Emmanuel Macron welcomes Kosovo Prime Minister Albin Kurti (R) before a meeting at the Elysee Palace in Paris on June 23, 2021. / AFP / Ludovic MARIN

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kontekst të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Macron ka shprehur keqardhje edhe për dështimin e votimeve të 21 prillit në veri të Kosovës, për largim ose jo të kryetarëve, dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të reja, me pjesëmarrje të komunitetit serb.

Sipas Presidencës franceze, ai i ka bërë këto deklarata në një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të zhvilluar më 23 prill.

“Presidenti e ka mirëpritur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, është thënë në një komunikatë për media të Presidencës franceze.

Me kërkesë të Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës – organizatës lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në majin e vitit 2016, por autoritetet përgjegjëse nuk e patën zbatuar vendimin.

Kryeministri Kurti ka thënë se beson që Franca do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa ndonjë parakusht tjetër.

Ai i ka bërë këto komente në një postim në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

SHARE