EVROPA, GATI TË NJOHË PALESTINËN / SPANJA KRYESON, BËN FUSHATË PËR MBËSHTETJE

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, tha të premten se kishte “shenja të qarta” në Evropë se vendet në rajon ishin të përgatitura për të njohur një shtet palestinez.

Sanchez u takua me homologun e tij norvegjez Jonas Gahr Store në Oslo, në kuadër të fushatës së tij diplomatike për të mbledhur mbështetje për njohjen e shtetit palestinez.

Vetë kryeministri norvegjez thotë se vendi i tij është i gatshëm të marrë një vendim për njohjen e shtetit palestinez por nuk ka për këtë një afat të caktuar.

“Unë mirëpres nismën për t’u konsultuar me vendet e tjera, me qëllim që të forcohet koordinimi”, shtoi ai.

Norvegjia është gati të marrë një vendim për njohjen e shtetit palestinez.

Duhet diskutuar koha kur do të ndodhë dhe konteksti, në bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera. Ne nuk kemi ende një agjendë. Ndaj unë e mirëpres nismën e kryeministrit Sanchez për konsultime dhe forcim të koordinimit.

Ndërsa nëntë vende anëtare të BE-së, tashmë e njohin edhe formalisht të drejtën e palestinezëve për shtetësi, përfshirë Bullgarinë, republikën Ceke, Rumaninë dhe Suedinë, qëndrimi zyrtar i BE-së është që blloku do të njohë një shtet palestinez sapo ai të krijohet në kuadër të zgjidhjes dy shtetëshe, që është edhe propozimi ndërkombëtar për paqen në rajon.

Spanja, Irlanda, sllovenia dhe Malta, janë vendosur në krye të një përpjekjeje për të siguruar mbështetje për njohjen e shtetit palestinez.

Propozimi duket se po tërheq vëmendje, me ministrat belgë që konfirmuan se edhe ata janë të gatshëm të mbështesin krijimin e një shteti palestinez që përfshin bregun perëndimor, rripin e gazës dhe jeruzalemin lindor. Sánchez, që ka udhëhequr përpjekjet për të ashpërsuar qëndrimin e BE-së ndaj Izraelit, ka bërë të ditur se Spanja do të njohë Shtetin e Palestinës deri në korrik.

SHARE