INVESTITORËT AMERIKANË TË GATSHËM TË INVESTOJNË NË ULQIN DHE MAL TË ZI

Komuna e Ulqinit tradicionalisht ka pasur raporte të shkëlqyera me Ambasadën Amerikane në Mal të Zi dhe ne do të punojmë që kështu të vazhdojë edhe në të ardhmen, është bërë e ditur nga Komuna e Ulqinit pas takimit me ambasadoren e SHBA-së në Mal të Zi, Judy Rising Reinke.

“Për këtë kontribuon nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit ndërmjet komunës së Ulqinit dhe Staten Island në Nju Jork, si dhe komunikimi gjithnjë e më i shpeshtë me investitorë kredibilë amerikanë të cilët janë të gatshëm të investojnë në Ulqin dhe Mal të Zi”, thuhet në njoftim.

Kryesia e Komunës së Ulqinit e njoftoi ambasadoren amerikane për rezultatet e arritura në fushën e financave, reformat dhe rezultatet konkrete në vetëqeverisjen lokale.

“Po ashtu kemi prekur edhe investimet në fusha të ndryshme në komunën e Ulqinit, me fokus të veçantë në infrastrukturën e qytetit, e cila ka karakter historik”, thuhet në njoftim.

Ambasadorja amerikane theksoi se Komuna e Ulqinit është në rrugë të mirë për t’u bërë komunë e zhvilluar dhe se ka mbështetjen e Ambasadës Amerikane për zhvillimin e përgjithshëm demokratik.

“Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të ushqejë marrëdhëniet sa më të mira me Ambasadën Amerikane në Mal të Zi dhe falënderojmë Rajnkën për vizitën e saj produktive në Ulqin, si dhe për përpjekjet që bën për të ndihmuar dhe mbështetur Komunën tonë”, përfundon njoftimi.

SHARE