Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama e quajti një seancë pa kuptim mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua situata në Kosovë, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Sipas tij, Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën.
“Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm,” tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në këtë koment qartëson pozicionin e Shqipërisë përballë përplasjes më të re mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare,” theksoi kryeministri shqiptar.
Kryeministri Edi Rama evitoi së komentuari përplasjen mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.